Deri te:
Kryetarja e RMV,
Kryetari i Kuvendit të RMV
Kryeministri i RMV
Zv/Kryeministri i Parë i Qeverisë
Ministri i Drejtësisë
Drejori i Agjencisë për Marëdhënie ndërfetare dhe grupet religjioze
Kori Diplomatik në vend
Ambasadori i OSBE-së
Partitë politike (VLEN dhe Frontit Evropian)
Institucionet akademike dhe
Mediat
Non-Paper
Viti 2015 për Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Republikën e Maqedonisë së Veriut shënon një kthesë të dyfishtë: a) me largimin e ish-sekretarit gjeneral të BFI-së, H. Afrim Tahiri, fillon zbardhja e të gjitha angazhimeve për vjedhje, korrupsion, deinstitucionalizim të jetës fetare islame si dhe çorganizim total të institucionit dhe, b) angazhimet transparente të një grupi relativisht të madh të teologëve të vendit nën grupimin e mirënjohur LMR në BFI për reforma gjithëpërfshirëse të Institucionit të BFI-së. Në vend të kësaj, me ndihmë të faktorëve jashtë BFI-së u arrit deri te detronizimi total i BFI-së dhe u realizua një puç klasik nga elementë shumë të dyshimtë për Institucionin dhe, përgjithësisht, për fenë islame.
Koha për reforma gjithëpërfshirëse në BFI
Pra, mund të konstatojmë se Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë që nga puçi klasik që ndodhi në vitin 2020. Ky zhvillim ka pasur ndikim të thellë në funksionimin dhe stabilitetin e këtij institucioni të rëndësishëm fetar. Pa dyshim, puçi u organizua përmes ndërhyrjes politike me ç’rast erdhi deri te një krizë e thellë e legjitimitetit të organeve të saj. Pas ngjarjeve të vitit 2020, legjitimiteti i udhëheqjes së BFI-së është vënë në pikëpyetje. Ndërhyrjet politike kanë thelluar mosbesimin brenda dhe jashtë komunitetit, duke krijuar një ambient të polarizuar. Kjo situatë do të prodhojë konflikt permanent të brendshëm, me ç’rast do të eliminohen të gjithë ata nëpunës të cilët nuk do të pajtohen me këtë krizë. Kemi një numër largimesh të nëpunësve nga puna, kemi një sërë procesesh gjyqësore-civile, kemi tendenca të organeve të BFI-së për shkëputje dhe veprim të pavarur. Të gjithë këta nëpunës dhe organe zgjidhjen dhe rikthimin e legjitimitetit të organeve të BFI-së e shihnin në zgjidhjen e konflikteve të brendshme përmes dialogut dhe mekanizmave demokratikë. Pa dyshim, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për udhëheqësinë e BFI-së mund të ndihmojë në rikthimin e legjitimitetit.
Artikuluese e kërkesave për reforma në BFI për këto vite ishte Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së. Kërkesa permanente ka qenë kthimi në kushtetutshmërinë e Institucionit si dhe, së fundmi, edhe reduktimi deri në eliminim të ndërhyrjeve politike të subjekteve të ndryshme jofetare. Ishin të shumta thirrjet te faktorë të ndryshëm për të siguruar që BFI të mbetet e pavarur nga ndikimet politike, duke respektuar autonominë dhe integritetin e saj si Institucion fetar.
Pra, fatkeqësist, puçi i 2020-ës shkaktoi ndarje të thella brenda komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut. Këto ndarje kanë dëmtuar unitetin dhe bashkëpunimin midis anëtarëve të komunitetit dhe udhëheqjes së tij. Tri herë radhazi janë bërë përpjekjet për ta larguar kryetarin aktual të dhunshëm përmes puçit. Për pasojë, sot Myftinia e Tetovës është jasht kontrollit institucional të BFI-së. Myftinia e Kumanovës, ajo e Kërçovës, ajo e Strugës, e Shtipit, mund të veprojnë si të duan, me rëndësi është që mos t’ia turbullojnë ujin drejtuesve ilegjitim të BFI-së!
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI (LMR në BFI) vlerëson se është koha e fundit për marrjen e hapav konkretë për të riparuar marrëdhëniet dhe për të ndërtuar unitetin brenda komunitetit. Kjo, natyrisht, përfshin inkurajimin e dialogut të domosdoshëm dhe pajtimit të patjetërsueshëm midis grupeve të ndryshme.
Gjithësesi, Lëvizja e sheh si të domosdoshme edhe përfshirjen e zërit të anëtarëve të komunitetit me qëllim të kapërcimit të përçarjes dhe degradimit të Institucionit deri në shkatërrim fatal. Pra, në proceset vendimmarrëse është e nevojshme që të dëgjohet dhe të respektohet zëri i të gjithë anëtarëve të komunitetit.
Pse u organizua puçi? Pati forca destruktive në vend që një kohë të gjatë i kishin sytë në burimet financiare si dhe në vakëfin e BFI-së, burime këto që nuk do të shterroheshin pa zhdukjen e traditës për të punuar me transparencë. Kësisoj, u shkaktuan sfida në menaxhimin e burimeve financiare të BFI-së, duke përfshirë edhe akuzat për keqpërdorim të fondeve.
Është jetike që BFI të vendosë mekanizma të qartë për transparencën financiare dhe llogaridhënien. LMR vlerëson se raportimi i rregullt dhe auditimi i pavarur mund të ndihmojnë në rindërtimin e besimit te anëtarët e komunitetit.
Kur bëhet fjalë për këta burime, LMR insiston në përmirësimin e situatës financiare, për ç’gjë BFI duhet të zhvillojë plane strategjike për menaxhimin e burimeve të saj, duke siguruar që ato të përdoren për të përmbushur nevojat e komunitetit dhe për të mbështetur projektet fetare dhe sociale.
Ngjarjet e fundit, të pasuara edhe me largime të shumta të nëpunësve si dhe me margjinalizime të organeve të BFI-së, kanë pasur ndikim negativ në edukimin fetar dhe në institucionet arsimore të lidhura me BFI-në. Fakulteti i Shkencave Islame ngeli jasht kontrollit të Rijasetit, Medreseja u bë poligon i ushtrimit të shkeljeve kushtetuese të Institucionit si dhe qendër e stërvitjes së gënjeshtrës “për akreditim të Medresesë” me qëllim të rritjes së simpatisë popullore për partinë në pushtet (BDI). Në këtë drejtim, LMR e sheh si nevojë imediate rritjen e cilësisë së edukimit fetar, duke siguruar që mësuesit dhe teologët të kenë trajnimin dhe mbështetjen e nevojshme për të kryer rolin e tyre në mënyrë efektive.
Zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare (të vitit 2024) kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet e BFI-së me institucione të tjera fetare dhe qeveritare. BFI-ja dhe strukturat e saj u angazhuan si me potencial njerëzor ashtu edhe me burime financiare për ta ndihmuar një subjekt politik dhe ish-strukturat qeveritare. Prandaj, sot, BFI i duhet urgjentisht të punojë për të rindërtuar marrëdhëniet e saj me institucionet e tjera fetare dhe qeveritare në Maqedoninë e Veriut, duke promovuar bashkëpunimin dhe koordinimin për çështjet e përbashkëta, por gjithnjë duke e ruajtur integritetin e vet.
Jo vetëm puçi por, pa dyshim, edhe angazhimi i fundit në fushata partiake, ka dëmtuar rëndë imazhin publik të BFI-së si në vend ashtu edhe në rajon. Së këndejmi, BFI patjetër që i duhet të zhvillojë dhe zbatojë një strategji efektive të komunikimit publik për të rifituar besimin e komunitetit dhe për të përmirësuar imazhin e saj. Duhet të angazhohet në mënyrë proaktive me mediat dhe shoqërinë civile për të promovuar transparencën, për të adresuar keqkuptimet dhe për të përçuar mesazhe të vërteta dhe pozitive.
Eliminimi i problemeve aktuale në Bashkësinë Fetare Islame në RMV kërkon një qasje të planifikuar dhe të shumanshme
Zgjidhjet prioritare duhet të përqendrohen në ndërtimin e unitetit, rikthimin e legjitimitetit dhe forcimin e strukturave të brendshme të institucionit.
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI në programin e vet ka paraparë disa nga zgjidhjet prioritare që mund të ndihmojnë në tejkalimin e krizës, siç janë:
- organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta!
Një nga hapat më të rëndësishëm për rikthimin e legjitimitetit në BFI është organizimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente për udhëheqësinë e institucionit dhe të organeve të saj. - zgjedhje të mbikëqyrura nga vëzhgues të pavarur (kryesisht nga një trup i përbërë prej teologëve më të vjetër të vendit që kanë dhënë kontribut konstruktiv në BFI )!
Për të siguruar që procesi zgjedhor të jetë i besueshëm, duhet të përfshihet mbikëqyrja nga vëzhgues të pavarur, përfshirë organizata joqeveritare dhe, pse jo, edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. - pjesëmarrja e gjerë e komunitetit!
Duhet të inkurajohet një pjesëmarrje e gjerë e anëtarëve të komunitetit në zgjedhje, për të siguruar që udhëheqësit e rinj të kenë një mandat të fortë dhe legjitim.
Pa dyshim, edhe riparimi i marrëdhënieve të brendshme dhe ndërtimi i unitetit, si nëpër organet e BFI-së ashtu edhe në xhematin tonë është nevojë emergjente. Kjo do të thotë se, përçarja brenda BFI dhe komunitetit mysliman është një nga sfidat kryesore që duhet të tejkalohet sa më parë, e që po zhvillohet nga drejtuesit aktualë që erdhën përmes puçit fatal në krye të BFI-së.
Së këndejmi, dialogu dhe pajtimi i brendshëm është ndër detyrat prioritare e drejtuesve të rinj që do të vinin pas gjedhjeve të lira e të drejta. Proces i pajtimit të brendshëm, që përfshin të gjitha palët e përfshira në konflikt, duhet të jetë i udhëhequr nga figura të respektuara brenda komunitetit dhe mund të përfshijë ndërmjetës intelektualë të profileve të ndryshëm, nëse është e nevojshme.
Natyrisht, kjo do të ndikonte në krijimin e patjetërsueshëm të një Platforme për diskutim të hapur, ku anëtarët e komunitetit do të mund të shprehnin shqetësimet dhe propozimet e tyre.
E tërë kjo do të rriste transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e burimeve. Transparenca dhe llogaridhënia janë të domosdoshme për të rindërtuar besimin në institucion.
Në BFI duhet të ketë një pajtim të përgjithshëm edhe për një auditim të pavarur financiar, me qëllim që anëtarësisë së gjërë t’u garantohet që fondet janë menaxhuar me përgjegjësi dhe për të adresuar çdo keqpërdorim të mundshëm.
Kjo nuk do të mund të arrihet pa vendosjen e një mekanizmi të llogaridhënies. Pra, duhet të krijohen struktura të reja për llogaridhënie, që përfshijnë raportimin e rregullt të shpenzimeve dhe projekteve, si dhe vendosjen e komisioneve mbikëqyrëse të përbëra nga anëtarë të komunitetit.
Veç kësaj, BFI-së i duhet edhe promovimi i pavarësisë nga ndikimet politike, ndikim ky që aktualisht po e brenë së brendshmi këtë Institucion, deri në shkatërrim total. Pra, është një prioritet i paevitueshëm sigurimi i pavarësisë së BFI-së nga ndërhyrjet politike, të cilat, që nga puçi e këndej, kanë ndikuar negativisht në funksionimin e saj.
Të gjitha organet, institucionet, komisionet e BFI-së duhet të angazhohen për adoptimin dhe publikimin e një Deklarate për Pavarësinë Institucionale, sepse përmes kësaj Deklarate BFI qartë do të pozicionohej për pavarësinë institucionale, duke refuzuar çdo lloj ndërhyrjeje politike në çështjet e saj të brendshme.
Pavarësisht ruajtjes së pavarësisë, BFI duhet të angazhohet në një dialog konstruktiv me autoritetet shtetërore për të siguruar mbështetje në çështjet që prekin komunitetin mysliman, duke ruajtur gjithmonë autonominë e saj.
Në Programin e vet Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI ka nënvizuar edhe nevojën e domosdoshme për përmirësimin e edukimit fetar dhe rritjen e kapaciteteve të personelit, ndërsa kjo do të ndikonte në formimin e prijësve fetarë të aftë dhe të përkushtuar.
Tiparet, politikat dhe përkushtimi i një lideri fetar për të cilin ka nevojë aktualisht dhe përjetësisht BFI-ja
Zgjidhja e këtyre problemeve të akumuluara në BFI me tendenc për t’u shtuar edhe më shumë, do lidership të vërtetë e të guximshëm. Pa dyshim që një lider fetar i matur dhe i devotshëm duhet të ketë disa tipare dhe të ndjekë disa politika që reflektojnë moralin, përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj besimit dhe komunitetit.
Një lider fetar duhet të jetë me integritet moral, duhet të jetë i drejtë, i sinqertë dhe i besueshëm. Integriteti moral është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i komunitetit ndaj një lideri fetar. Një lider me integritet moral jeton sipas mësimeve që predikon. Ai nuk bie në hipokrizi, por përpiqet që fjalët dhe veprat e tij të jenë në harmoni të plotë me normat dhe vlerat etike të fesë që përfaqëson. Një lider me integritet moral është një model për t’u ndjekur. Anëtarët e komunitetit mund të shohin tek ai një shembull të ndershmërisë, përgjegjësisë dhe sjelljes etike. Lideri fetar me një biografi të dyshimtë e të pistë, me afinitete për t’u bazuar në gënjeshtra e në trillime për ngritjen e “figurës së liderit”, është i rrezikshëm jo vetëm për Komunitetin por edhe për mbarë shoqërinë.
Propozime nga Platforma e LMR në BFI për tejkalimin e problemeve aktuale
Me qëllim për t’i tejkalar të gjitha problemet, mangësitë, përçarjet, politikat shkatërrimtare që aktualisht mbisundojnë brenda BFI-së si dhe, për t’i bindur faktorët relevant në vend për mbështetje dhe zgjidhje të qëndrueshme, Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI ka Plaformën si dhe qasjen e mirëstrukturuar dhe gjithëpërfshirëse, e cila jo vetëm që adreson sfidat kyçe por dhe ofron një vizion të qartë për reformën dhe stabilizimin e institucionit.
LMR propozon krijimin e një komisioni të pavarur për të mbikëqyrur procesin e reformës dhe për të garantuar që çdo hap të jetë transparent dhe i drejtë.
Ky komision mund të përfshijë përfaqësues të komunitetit mysliman, ekspertë ligjorë, figura të respektuara fetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Për të siguruar mbështetje dhe legjitimitet, është e rëndësishme të përfshihen edhe figura me relevancë nga bota akademike dhe nga shoqëria civile.
Komisioni duhet të ketë mandat për të mbikëqyrur organizimin e zgjedhjeve të reja për udhëheqësinë e BFI-së, auditimin e brendshëm financiar dhe rishikimin e Kushtetutës së BFI-së për të garantuar qëndrueshmërinë dhe transparencën e institucionit.
Qëllimi i organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta të mbikëqyrura nga komisionet adekuate është që të sigrohet legjitimiteti i udhëheqësisë së re të BFI-së përmes një procesi zgjedhor të hapur dhe të drejtë.
Gjithësesi që duhet të krijohet një Strategjie e re për transparencë dhe llogaridhënie me qëllim të rritjes së besimit të komunitetit, të institucioneve shtetërore si dhe faktorëve ndërkombëtarë përmes përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies në BFI.
Transparenca dhe llogaridhënia nënkupton edhe auditimin e pavarur financiar i cili do të mbështetej nga firmat ndërkombëtare të auditimit për të siguruar objektivitetin.
Pas kësaj, pa dyshim që do të duhej edhe publikimi i raporteve periodike. Institucionalizimi i publikimit të raporteve periodike mbi aktivitetet dhe shpenzimet e BFI-së, të cilat do të jenë të aksesueshme për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe faktorët ndërkombëtarë, do të duhej të ishte një ndër prioritetet e BFI-së.
Në Platformën e LMR-së vend të veçantë zë edhe Plani strategjik për reformën në edukimin fetar, i cili, mbi të gjitha, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së edukimit fetar në mënyrë që të formohen liderë fetarë të përkushtuar dhe të aftë.
Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe akademike ndërkombëtare islame është i domosdoshëm, sidomos për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kurrikulës.
Pa dyshim, diaologu ndërfetar duhet të jetë aktivitet permanent i BFI-së, me qëllim të forcimit të pozitës së BFI-së përmes lidhjeve të fuqishme me organizata të tjera fetare dhe ndërkombëtare. Dialogu ndërfetar i rregullt me përfaqësues të feve të tjera dhe organizatave ndërfetare në rajon, duhet të promovojë tolerancën dhe bashkëjetesën.
Nuk është bashkëpunim rajonal pritja dhe përcjellja e “faktorëve” të ndryshëm në kabinetin e reisit, apo pjesëmarrja e reisit nëpër konferenca të ndryshme, por ky bashkëpunim duhet të nënkuptojë angazhimin për zhvillim të marrëdhënieve me organizata simotra në rajon dhe më gjerë për të ndarë përvojat dhe për të krijuar projekte të përbashkëta që mbështesin stabilitetin dhe zhvillimin e komuniteteve fetare.
LMR tash e një kohë relativisht të gjatë është duke lobuar dhe kërkuar te faktorë të ndryshëm mbështetje për zbatim të këtyre reformave të domosdoshme në BFI.
LMR zotohet se në të ardhshmen në BFI do të jetë prakikë standarde dërgimi i raporteve të rregullta për progresin në zbatimin e reformave tek partnerët vendor e ndërkombëtarë për të ruajtur transparencën dhe për të siguruar mbështetje të vazhdueshme.
Duke e pasur parasysh situatën aktuale brenda BFI-së, shumë polarizuese, ndërhyrja ndërmjetësuese e një Trupi nga faktorët relevant të vendit me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve të brendshme do të ishte akt më se i domosdoshëm.
Kërkimi i ndihmës nga institucionet përkatse shtetërore, nga faktorët ndërkombëtarë me relevancë, si nga kori diplomatik, OSBE etj. është gjest i mirëpritur nga LMR ngase këto organizata mund të ofrojnë shërbime ndërmjetësimi dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e konflikteve të brendshme brenda BFI-së, duke siguruar që proceset të jenë të drejta dhe të balancuara.
Çka nëse Rijasti aktual i BFI-së refuzon unifikim dhe stabilitet institucional
Nëse Rijaseti aktual i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut nuk pranon të bashkëpunojë për të zgjidhur problemet dhe nuk tregon vullnet për reforma, atëherë do të jenë të nevojshme disa veprime të mëtejshme për të mbrojtur interesat e komunitetit dhe për të garantuar funksionimin e shëndoshë të institucionit. Këtu LMR sjell disa veprime të mundshme të parapara në Planin e vet akcional për normalizimin dhe stabilizimin e BFI-së:
- Mobilizimi i anëtarëve të komunitetit, të cilët mund të organizojnë peticione dhe thirrje publike për ndryshim në udhëheqje. Kjo mund të përfshijë nënshkrimin e peticioneve për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe për dorëheqjen e anëtarëve të Rijasetit që nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre.
- Organizimi i tubimeve dhe diskutimeve publike nëpër xhami dhe komunitete për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ushtruar presion mbi udhëheqjen aktuale që të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e krizës.
- Krijimi i një Trupi të përkohshëm përfaqësues që të udhëheqë përpjekjet për reformë.
- Formimi i një Këshilli të përkohshëm nga figura të respektuara brenda komunitetit, si dhe nga imamë të njohur që do të merrte natyrën e një Lëvizje Imamësh, të cilët do të kishin një mandat të qartë për të organizuar zgjedhje të reja dhe për të implementuar reformat e nevojshme.
- Ky trup i përkohshëm mund të kontaktojë me autoritetet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare për të siguruar mbështetje dhe për të legjitimuar përpjekjet e tij.
Veprimet ligjore do të ishin një hap tjetër i LMR-së, që do të ndërmerreshin për të sfiduar legjitimitetin e Rijasetit aktual ose për të kërkuar llogaridhënie për veprime të dëmshme. - Anëtarët e komunitetit, të mbështetur nga juristë të pavarur që veprojnë në kuadër të LMR-së, mund të ngrenë padi kundër udhëheqjes së BFI-së për të sfiduar ligjshmërinë e vendimeve të tyre ose për keqpërdorim të mundshëm të burimeve financiare si dhe të rregullativës së BFI-së.
- Do të bëhen ankesa formale tek institucionet shtetërore të drejtësisë dhe të qeverisjes, si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për të hetuar çdo shkelje të mundshme të ligjit nga Rijaseti aktual.
- Do të fillohet me një fushatë publike për të promovuar nevojën për reforma në BFI dhe për të informuar publikun për problemet ekzistuese.
- Do të nisin takimet dhe dialogjet me figura të respektuara dhe me ndikim në komunitet.
Nëse edhe më tej nuk do të sensibilizohen drejtuesit aktual të BFI-së, atëherë LMR në BFI do të ftojë në bojkotimin e aktiviteteve të udhëhequra nga Rijaseti aktual dhe përdorimin e mjeteve të mosbindjes civile. - Do të ftojë në bojkotimin e shërbimeve të udhëhequra nga rijaseti aktual, siç janë anëtarësia dhe taksat e ndryshme fetare.
- Me mosbindja civile LMR nënkupton përfshirjen e veprime të organizuara nga anëtarët e komunitetit për të sfiduar autoritetin e Rijasetit, për shembull, duke organizuar shërbime alternative fetare të udhëhequra nga imamë që janë të respektuar dhe të pranueshëm për komunitetin.
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI