Votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin mes disa opsioneve
OSBE-ODIHR ka hartuar raportin final për Shqipërinë, lidhur me procesin e mbajtjes së zgjedhjeve vendore në 30 Qershor. ODIHR i përmbahet konkluzionit të nxjerrë më 1 Korrik, duke nënvizuar se elektorati ishte nën presion nga të dyja palët politike, ndërsa pozita dhe opozita nuk treguan konsideratë për interesin e elektoratit.
“Zgjedhjet e 30 Qershorit u mbajtën pa treguar interes nga ana e palëve politike për elektoratin. Opozita vendosi të mos marrë pjesë dhe qeveria të zhvillojë zgjedhje pa të. Në klimën e një bllokimi politik dhe polarizimi, votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë midis opsioneve politike.”
ODIHR shprehet se në disa raste Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka interpretuar ligjin duke reduktuar sigurinë juridike.
“KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe ndonjëherë jo-konsistente, duke zvogëluar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Partinë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor më 27 Prill, megjithëse kjo e fundit u regjistrua si parti më 25 Prill, me një vendim gjykate duke u bërë i formës së prerë më 10 Maj. KQZ nuk kërkoi nënshkrime mbështetëse të qytetarëve për këtë parti.”
Kjo atmosferë politike dhe kaosi institucional minoi besimin e qytetarëve, thotë raporti i OSBE-ODIHR, duke përfshirë në këtë kontekst mosmarrëveshjen se kush është përgjegjës për të vendosur mbi vlefshmërinë e dekreteve presidenciale, Gjykata Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhor.
“Atmosfera e pasigurisë dhe ngërçi midis institucioneve kryesore shkatërroi besimin e publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve.”
Raporti final bën përgjegjëse Partinë Socialiste për përdorim të administratës në fushatë dhe atë demokrate për përdorim të administratës së bashkive në protesta. Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 30 Qershorit, thuhet se 95% e tij nuk paraqiti problematika. Dy rekomandimet kyçe të OSBE lidhen me nisjen e dialogut mes palëve politike, ku të përfshihet dhe Reforma Zgjedhore dhe krijimin e një administrate zgjedhore të pavarur.