Pengjet personale nuk mund të jenë probleme kolektive

Nënshkrimi i një memorandumi për bashkëpunim nuk është kurrfarë aktiviteti, është një hap paraprak, për të mos thënë një gjest burokratik që shpesh nuk pasohet nga asnjë veprim real. Fatkeqësisht, në shumë raste, ai shërben si instrument marketingu për të mbuluar mungesën e punës së mirëfilltë

Nga Adelina Ferati

Shaqir Fetai, instalacioni i shërbimeve të dyshimta që e sollën në krye të BFI-së, ka kohë që ka një peng personale: të kaluarën e vet të dyshimtë që formon dosjen e tij policore në raftet e UDB-së! Nga një fletë që u lëshua në qarkullim “në shenjë mirësie” nga ky shërbim famëkeq, dëshmon se Shaqir Fetai, derisa ka qenë student në Sarajevë, i ka shërbyer edhe UDB-së, sidomos në ndjekje të aktivistëve të “vëllazërisë myslimane”, sidomos të Ramiz Alisë (nga Tetova) si dhe të Nexhat Ibrahimit (nga Prizreni)! Aktivitetin spiunesk të vetin e paskësh zhvilluar nën nofkën “ORAO” (Shqiponja)! Aq shumë i ka zënë besë këtij shërbimi sa, kurrë nuk ia ka marrur mendja se mund të dalë diçka kompromituese nga ky shërbim. Ndërsa, të gjitha shërbimet sekrete në botë funksionojnë mbi baza të aktiviteteve të operativës dhe bashkëpunëtorëve të vet, të cilët i mbanë sekret deri në momentin kur këta “nuk do të rrebelohen” dhe nuk do t’u rraset mendja se tash e tutje do të shndërrohen në “personalitete kombëtare”!


Pra, kjo e kaluar e Shaqir Fetait është pengu më i madh që e ka dhe, të cilën mundohet ta shesë si “problem kolektiv”! Prandaj, Shaqir Fetai kënaqet, shkrihet i gjori, sa herë që shkon në Sarajevë, apo që vjen dikush nga Sarajeva! Menjëherë këto vizita ia shet popullit si “miratim të së kaluarës së tij në Sarajevë”! Nuk janë përfaqësuesit e bashkësive fetare të ish-Jugosllavisë që ta miratojnë të kaluarën e dyshimtë, por, e miraton apo e mohon vetëm ai “institucioni” ku ke shërbyer besnikërisht!
Kësisoj, këto ditë Shaqir Fetai desh e ngriti peshë opinionin për një “aktivitet” që na e paska zhvilluar me drejtuesit e Bashkësisë Fetare Islame të Bosnjë-Hercegovinës, me të cilët na e paska nënshkruar një “memorandum bashkëpunimi”! Në fakt, kjo vizitë e delegacionit boshnjak i bëhet direkt komunitetit boshjak që jeton në Maqedoninë e Veriut, bëhet për ata dhe për respekt të tyre. Jo rastësisht, kryetari i komunitetit mysliman boshnjak shpreh kënaqësinë për përfshirjen e boshnjakëve brenda komunitetit të myslimanëve të vendit tonë. Ndërsa Shaqir Fetai nuk shpreh asgjë për “mos”përfshirjen e komunitetit shqiptar në jetën institucionlale të komunitetit mysliman të Bosnjës!
Nga ana tjetër, Shaqir Fetai dëshiron të përfitojë nga kjo vizitë, nga ky aktivitet i respektuar i palës boshnjake dhe, kërkon pak shkarkim nga pengu i së kaluarës së vet. Në një realitet ku mungesa e rezultateve konkrete shpesh fshihet pas fasadës së ngjarjeve të stisura, është bërë e zakonshme që nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi të shitet me zhurmë si “aktivitet madhor”. Me fotografi me kravatë, me njoftime pompoze për media, me fjali të stërgjata dhe boshe që premtojnë shumë e nuk thonë asgjë. Por çfarë është realisht një memorandum bashkëpunimi?
Në thelb, një memorandum mirëkuptimi apo bashkëpunimi (MOU) është një dokument jo-detyruese që shpreh një synim për bashkëpunim ndërmjet dy palëve. Ai nuk është kontratë, nuk ka sanksione për moszbatim dhe nuk përmban zotime konkrete. Është, në thelb, një letër që thotë: ‘po mendojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen’. Ka më shumë vlerë simbolike sesa praktike – dhe këtë simbolikë Shaqir Fetai mundohet të na e shesë si spektakël.
Nënshkrimi i një MOU-je nuk është aktivitet, është një hap paraprak, për të mos thënë një gjest burokratik që shpesh nuk pasohet nga asnjë veprim real. Fatkeqësisht, në shumë raste, ai shërben si instrument marketingu për të mbuluar mungesën e punës së mirëfilltë. Me pak fjalë, është rritje artificiale e performancës në letra, ndërsa në terren – asnjë ndryshim. Nuk është hera e parë që pas një fotografie me një memorandum të firmosur, asnjë projekt konkret nuk sheh dritën e diellit.
Institucionet, në vend që të matnin veten me rezultate, matën veten me evente. Në vend që të shpalosin indikatorë impakti, shpalosin numrin e memorandumeve të firmosura. Në këtë mënyrë, burokracia vetëpëlqehet dhe vetëlavdërohet, duke e shitur letërsinë si punë, ndërsa qytetari i zakonshëm vazhdon të mos përfitojë asgjë nga këto “marrëveshje”. Përfiton vetëm Shaqir Fetai: ja, mua më duan boshnjakët, përkundër dokumentit të rrjedhur nga sirtari i UDB-së!
Këtu lind edhe pyetja thelbësore: A duhet një memorandum të përbëjë lajm? Po qe se nuk pasohet nga plane të matshme, aktivitete konkrete dhe transparencë për zbatimin, përgjigjja është e thjeshtë: jo, nuk duhet. Nëse gjithçka që kemi për të treguar është një foto e firmës në fund të faqes dhe një buzëqeshje për kamerë, atëherë nuk kemi aktivitet – kemi teatër dhe, në rastin konkret, vetëkënaqësi nga Shaqir Fetai: ja, ja, boshnjakët po më duan, pra, edhe shqiptarët duhet të më duan, paçka që ua kam thithur gjakun me pambuk!
Këtë “akt” formal Shaqir Fetai mundohet të na e përkthejë si gjest të mirë për “përforëcimin e unitetit tonë”! Mundohet të lidhë e të përforcojë raporte me Sarajevën, ndërsa punët i ka berbat me Tetovën, me Kumanovën, me Velesin, me Strugën, me gjysmën e Shkupit, me gjysmën e Dibrës, të Kërçovës, të Prilepit, të Shtipit… Pra, kemi të bëjmë me iluzion të aktivitetit në shërbim të heshtjes, të cilin iluzion Shaqir Fetai mundohet të na e shesë si aktivitet që i hesht të gjitha problemet madhore dhe katastrofale që i ka brenda “strukturës” së vet të cilën e ngriti mbi një tradhëti fatale që e ushtroi jo fort larg. Tradhëtia prodhon vetëm tradhëti dhe, si e tillë, është miliona kilometra larg së vërtetës dhe sinqeritetit.

Leave a Reply