Politika shqiptare kthen sytë nga 8 dhjetori i 1990

Ky “8 dhjetor” ka shënuar 31-vjetorin e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri dhe tashmë Ditën Kombëtare të Rinisë.

Në këtë ditë nuk kanë munguar as mesazhet e klasës politike, ku përmes rrjeteve sociale, përcollën edhe urimet e tyre.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, zgjodhi të kthehej pas në kohë, në atë që ai e quan “dita e ardhjes së pluralizmit politik”.

Për kreun e shtetit shqiptar sot me rëndësi të madhe është liria, demokracia, pluralizmi politik dhe kthimi i tyre në shinat e qëndrueshme së bashku me të ardhmen evropiane, sipas tij dhe vota e lirë gjithëpërfshirëse mbeten vendimtare në këtë proces, duke shtuar më tej se në fund fare “liri demokraci jo vonë, por tani”.

Presidenti i bëri thirrje rinisë shqiptare të marrë në dorë fatet e vendit.

Për gjithë studentët ne presim shumë prej tyre edhe ata duhet të marrin në dorë udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri sepse guximi i tyre e përgjegjshmëria për të ardhmen janë të pazëvendësueshme”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ditën e rinisë solli në vëmendje shpalljen e Tiranës, vitin e ardhshëm, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Për të, 8 dhjetori duhet t’u kushtohet vetëm të rinjve.

Ndërkohë, lideri i selisë blu, Lulzim Basha, e ka cilësuar këtë ditë si motiv për të vijuar thirrjen se “duhet luftuar diktatura e sotme”.

“Thirrja për Shqipërinë si gjithë Evropa mbetet një kushtrim për të përmbushur amanetin e të rinjve dhe të rejave që sakrifikuan për liri e demokraci”, shkruan ai.

Kryeopozitari Basha thekson se “8 Dhjetori 1990 është dita që ndau të shkuarën nga e ardhmja” dhe “ndryshoi përgjithmonë” historinë e Shqipërisë.

Urimit të kësaj dite iu bashkua edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në mesazhin e tyre, për “8 dhjetorin”, ambasada amerikane shprehet krenare se ka mbështetur popullin shqiptar, ndërsa shfaq gatishmërinë për t’i qëndruar sërish në krah shqiptarëve “ndërsa ata përqafojnë të ardhmen”.

Shtatorja e ish-liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari në Qytet Studenti, Tiranë.

Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Leave a Reply