Një krizë e ngjashme si ajo e raketave ruse në Kubë e vitit 1962 mund të përsëritet tani sërish nëse Perëndimi nuk plotëson kërkesat e sigurisë të Rusisë me fokus ndalimin e zgjerimit të NATO-s. Askush nuk priste shumë përparim nga maratona diplomatike e javës së kaluar për të zbutur krizën e sigurisë që Rusia ka ndezur në Europën Lindore duke rrethuar Ukrainën nga tre anët me 100,000 trupa dhe më pas, sipas llogarive të Shtëpisë së Bardhë, duke dërguar diversantë për të krijuar një pretekst për pushtim.
Gjatë bisedimeve të Gjenevës disa zyrtarë sugjeruan se nëse presidentit rus Vladimir Putin i shtohet frustrimi nga qëndrimi i Perëndimit, atëherë ai mund të përparojë planet e tjera me dislokimin e raketave bërthamore jo shumë larg vijës bregdetare të Shteteve të Bashkuara, gjë që do të reduktonte kohën e paralajmërimit pas një lëshimi deri në pesë minuta.
“Një pushtim hipotetik rus i Ukrainës nuk do të minonte sigurinë e Shteteve të Bashkuara,” tha Dmitry Suslov, një analist në Moskë. “Logjika e përgjithshme e veprimeve ruse është se SHBA dhe NATO duhet të paguajnë një çmim të lartë.”
Deri tani Rusia ka dhënë vetëm paralajmërime. Të premten e kaluan qindra faqe interneti të qeverisë ukrainase u sulmuan nga ushtria ruse e hakërreve, e cila përveçse mund të bëjë kërdinë në Ukrainë, mund të shkojë deri aty ndërhynë në rrjetet e energjisë nga Mynihu në Michigan.
E gjithë kjo mund të jetë një rrëmujë, pjesë e një fushate frikësimi të Kremlinit dhe një mënyrë për t’i kujtuar Presidentit Biden se ndërsa ai dëshiron të përqendrojë vëmendjen amerikane në konkurrencën me Kinën, zoti Putin është ende i aftë të shkaktojë përçarje të mëdha.