Kryeministri Edi Rama, duke drejtuar mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ka pasqyruar disa rezultate të operacionit kundër informalitetit të nisur nga qeveria e tij.
Sipas Ramës, që nga nisja e operacionit janë kryer 94 mijë kontrolle në të gjithë vendin, mijëra subjekte janë regjistruar në mënyrë vullnetare dhe janë lidhur 17 mijë kontrata të reja fiskale.
Gjithashtu, ka vijuar Rama, ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar, ndërsa xhiroja e deklaruar është rritur me 52 për qind, çka tregon sipas tij se potenciali i rezultateve të aksionit duhet ende të dalë.
Gjithashtu, informaliteti në bujqësi është në një pikë kthese, ka theksuar Rama, pasi fermerët po pajisen me nipt.
“Ftoj gjithë fermerët që duan të përfitojnë nga grantet dhe ndihmat financiare që të pajisen me nipt”, ka thënë kryeministri.
Ai u është përgjigjur edhe kritikave të bëra në adresë të këtij aksioni nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
“Drejtuesit e Dhomës Amerikane të tregtisë të vijnë dhe të tregojnë se çfarë ndodh në Shtetet e Bashkuara kur dikush kapet me evazion, ose nuk lëshon kupon tatimor”, ka thënë ai.
“Nëse i kundërvihesh këtij operacioni, do të thotë të kërkosh që ata që nuk paguajnë të bëhen barrë edhe për ata që paguajnë”, ka nënvizuar kryeministri.
Duke iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës, Rama ka thënë se ato vijnë si pasojë e inertësisë së të shkuarës.
Më tej, Rama ka shtuar se, Shqipëria do të ketë një rënie në klasifikimin “Doing Business” të Bankës Botërore, por ka sqaruar se, “kjo vjen kryesisht nga bllokimi i ndërtimeve, për të frenuar ndërtimet pa leje dhe për të penguar abuzimet e atyre me leje”.
“Por kemi detyrimin të bëjmë ndërhyrje të domosdoshme duke hequr një numër të konsiderueshëm licencash që janë bërë pengesë. Frytet e gjithë kësaj pune do t’i marrim në fund të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Rama.
Ai ka paralajmëruar edhe ndërmarrjen e një seri reformash dhe miratimin e ligjeve të reja, për të futur biznesin në rrugën e ligjshmërisë.