Si u bë Fatos Arapi Laureat i “Kurorës së Artë”

Në shiritin e kohës

“Altruizmi shqiptar” shpesh po na kthehet si bumerang duke na shpërfaqur në naivë e, për më keq, në interesxhinjë të dobët! “Hejza” jo një herë është munduar që përmes editorialeve të veta ta ndërgjegjësojë shqiptarin, duke kërkuar prej tij që të mendojë, fillimisht për vete e pastaj për të tjerët! Bëhet fjalë për shumë organizime letrare në të cilat ftohen “fqinjët” joshqiptarë që bashkëjetojnë me shqiptarët! Organizatorët na dalin, pa dyshim, finokë dhe jo njohës të krijimtarisë letrare që kultivohet nëpër shtetet fqinje prej nga ftojnë pjesëmarrës. Nuk është se u intereson poezia, por, thjesht, angazhohen që të krijojnë mundësi për t’u ftuar nëpër eventet letrare të shteteve fqinj!
Për shembull, në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut, zhvillohen disa manifestime tradicionale letrare, muziko-skenike dhe filmike, në buxhetin vjetor të të cilëve derdhet sasi e konsiderueshme e parave nga taksapaguesit shqiptarë të vendit! Një prej këtyre manifestimeve me renome ndërkombëtare pa dyshim që është “Mbrëmjet strugane të poezisë”, e themeluar që në vitin 1961. Në kuadër të këtij manifestimi janë themeluar dhe janë ndarë gjithsej nëntë shpërblime kombëtare e ndërkombëtare, prej të cilëve më i njohuri është shpërblimi “Kurora e Artë”, i cili që nga viti 1971 jepet për opusin e gjerë poetik të krijuesit! Gjatë kohës së ish-sistemit jugosllav, nën trysninë e “bashkim vëllazërimit”, organizatorët detyroheshin që në këtë festival të ftojnë edhe poetë shqiptarë nga mbarë Jugosllavia si dhe poetë të tjerë të nacionaliteteve të ndryshëm, por kurrë nuk bëri vaki që ndonjë poet shqiptar të nderohet me një prej shpërblimeve të këtij manifestimi. Poetët si Esad Mekuli, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Sabri Hamiti, Teki Dërvishi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Abdulla Konushevci, Milazim Krasniqi, Ramadan Musliu, Adem Gajtani, Resul Shabani, Nehas Sopaj etj. ndonëse njiheshin prej popujve të ndryshëm anekënd botës, në Maqedoninë e atëhershme nuk “njiheshin” ndaj dhe mund të ftoheshin për të “mrizuar” përskaj Drinit, por jo edhe të shpresojnë për ndonjë prej shpërblimeve. Vetëm poeti Adem Gajtani ia kishte dalë që më vitin 1976 të shpërblehet me çmimin “Gligor Përliçev”, edhe atë jo për poezi, apo për opusin e tij krijues, por thjesht, për përkthimin e përmbledhjes “Baladë për kohën” të Matea Matevskit!
Ndërkaq, në kohën pas pavarësisë, poetët shqiptarë në këtë manifestim letrar ndërkombëtar ftoheshin vetëm me këmbënguljen e shqiptarëve në pushtet. Falë këtyre shqiptarëve iu hapën dyer poetëve më të mirë nga Shqipëria, si dhe poetëve bashkëkohorë nga Kosova e viset e tjera etnike. Kësisoj, më vitin 2008, në kohën kur Ministrinë e Kulturës po e drejtonte ministri shqiptar, u arrit që për herë të parë të nderohet opusi poetik i poetit shqiptar nga Shqipëria, Fatos Arapi! Po si erdhi deri te ajo që Fatos Arapi të bëhet laureat i “Kurorës së Artë” të “Mbrëmjeve strugane të poezisë”!
Ishte arritur një marrëveshje në mes të VMRO-së së Gruevskit dhe PDSH-së së Arbën Xhaferit që, përveç ministrive, edhe në eshalonin e dytë dhe të tretë të pushtetit qendror si dhe drejtoritë si institucione shtetërore e nacionale, të drejtoheshin prej kuadrove profesionistë shqiptarë. Në këtë marrëveshje, nga pala shqiptare, ishte i kyçur nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili po këmbëngulte që të shtohet numri i drejtuesve shqiptarë sidomos nëpër institucione nacionale kulturore. Kërkonte që Filarmoninia, Teatri i Operës dhe Baletit, manifestimi “Vera e Ohrit”, sidomos, “Mbrëmjet Strugane e poezisë” të drejtohej nga shqiptarët! Këmbëngulte për festivalin poetik ndërkombëtar, sidomos për faktin që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të vendosnin që më në fund një poet shqiptar të merrte këtë çmim ndërkombëtar, të cilën e kishin marrë poetë nga shtete të ndryshme të botës!
Natyrisht, ishte kjo një strategji e kryetarit Arbën Xhaferit që Laureat i “Kurorës së Artë” të përzgjidhej Fatos Arapi! Ndonëse nga pala maqedonase pati shumë reagime publike, kundër “gjunjëzimit nacional” karshi krijimtarisë letrare shqiptare, politikanët maqedonas u bindën se ky nuk ishte “bllof” i Menduh Thaçit dhe Arbën Xhaferit me kundërpërgjigjen ndaj këtij hezitimi maqedonas duke i punësuar dhe sistemuar 47 administratorë shqiptarë në Ministrinë e Kulturës! Menduh Thaçi publikisht kërkonte ose të pranohet vlerësimi i Arbën Xhaferit që të caktohet Laureat i Çmimit “Kurora e Artë” ose bie qeveria! Natyrisht, pati edhe një takim në mes të poetit Fatos Arapi dhe një delegacion poetësh që përfaqësonte “drejtorinë” e “Mbrëmjeve strugane të poezisë”, në mesin e të cilëve pati edhe “poetë” me detyrë speciale për ta provuar “universalitetin” e poetit shqiptar, i cili, falë këtij “hulumtimi”, u zbulua se na qenka “poet universal” dhe jo i kyçur nën “lëvozhgën e shqiptarisë”! Ky ishte “arsyetimi” i maqedonasve!
Ndërsa sot, në Shqipëri (besa edhe në Kosovë) nëpër manifestime letrare nuk ftohen krijues shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, porse krijues (universal!!!) nga Maqedonia e Veriut, ngjashëm edhe nga Mali i Zi e nga Serbia. Në emër të kësaj politike të çoroditur dhe aspak kombëtare, ftohet, për shembull, nacionalisti dhe shovenisti serb, Goran Bregoviq, të cilit madje i jepet edhe “Çelësi i Tiranës” dhe nuk ftohet, bie fjala, poetja nga Maqedonia e Veriut, Lindita Ahmeti për ta marrë këtë “Çelës” e për të dëshmuar se ne, shqiptarët, dimë t’i çmojmë edhe vlerat tona kombëtare, të cilat, në çdo cep të botës, me veprat e tyre do të na e zbardhnin fytyrën! /HEJZA/

Leave a Reply