Enrique Vila-Matas
Tregimi, kjo formë letrare kaq kërkuese pranon grada dendësie pothuaj poetike – gjë që nuk e pranon aspak proza rrëfimtare e romanit – dhe megjithatë nuk është pothuaj kurrë një poezi, sepse ruan një ritëm të tijin thellësisht rrëfimtar. Një poezi të Pesoa-s e kam lexuar sikur të ishte një tregim, mbase prej faktit se kemi gjithmonë nevojë që të kemi përjashtime nga rregulli.
Po a ka rregulla? E çfarë është me të vërtete një tregim? Të gjithë – thotë Javier Cercas—e dine se ç’është një tregim, por përshtypja është se askush nuk e di shumë mirë se ç’është me të vërtete.
E ndaj me Cercas-in përshtypjen se nuk kam lexuar kurrë një përcaktim mbi tregimin që të përmbajë në mënyrë të kënaqshme labirintin e shumëllojshmërisë, të sfumaturave, formave dhe kushteve që nënkupton kjo fjalë. Është tamam kjo, njëra nga vlerat e tregimit modern, dhe ndoshta ajo që e bën dhe më tërheqës. Menjëherë pas shfaqjes se tregimeve të Poe-s, pati një fazë të pazakontë rebelimi të vazhdueshëm kundër çdo lloj dogme që mund t’i aplikohej këtij lloji, dhe që atëherë ndryshimet pasuan pa pushim – për këtë arsye është aq i gjallë tregimi – dhe që atëherë nuk ka pushuar së qeni një lëvizje e madhe; është një histori – historia e dalldisur e tregimit modern – që na kujton se çfarë i ndodh një tregimtari kur nis të shkruajë një tregim dhe që Heminguej e ka shpjeguar shumë mirë kur thotë se nganjëherë ndërtohet historia e tregimit dora-dorës që t’i shkruan, që është pak sikur të thuash se rruga bëhet duke ecur. “Gjithçka ndryshon dora-dorës që ti shkruan. Është kjo që e jep lëvizjen që përben tregimin. Nganjëherë lëvizja është aq e ngadaltë sa duket sikur nuk ecet përpara por, ka gjithmonë ndryshim, ka gjithmonë lëvizje”, thotë ai.
Tek “Njëqind vjet tregime”, Jose Maria Merino na flet për ndryshime dhe lëvizje dhe për faktin narrativ, atë fenomen që i lejon një teksti të bëhet tregim, sepse përshkohet nga një lëvizje e brendshme, një ndryshim dramatik, një përmbysje e aftë t’i japë transcendencë absolute lëndës konkrete që trajtohet, dhe qe e shndërron një situatë të dhëne fillestare, apo e lejon të kuptohet në mënyre dinamike, duke e pajisur me një kuptim special”. Ndryshime dhe lëvizje verifikohen në jetë dhe në tregimet më të mira, që janë ata që vizatojnë jetën në mënyrë që ajo, ashtu si në tregimet më të mira, të duket sikur gëlon në formë të menjëhershme apo të beftë, duke u rrëmbyer nga ai “qarkullim mirëfilli i çmendur” që ravijëzon dramën e ekzistencës në fund të më të paharrueshmit dhe më të tmerrshmit tregim të Kafkës, “Procesi”. Është ai qarkullim mirëfilli i çmendur, me ndryshime të vazhdueshme dhe lëvizje, që përcakton faktin se askush nuk e di më të vërtetë se ç’është jeta, dhe akoma me pak se çfarë mund të jetë një tregim, gjithmonë duke mos nënkuptuar se jeta është një tregim.(HEJZA)