Në takimin për luftën kundër informalitetit në fushën e shëndetësisë, kryeministri deklaroi se nga nesër të ata që do të drejtohen për t’u pajisur me kasë fiskale do ta marrin atë me çmim më të ulët.
“Ne u kemi imponuar kompanive një ulje drastike të çmimit dhe për të gjithë ata që do të porosisin kasë nga nesër e më tutje, kasa nga 330 euro që kushton aktualisht do të jetë 279 euro. Kemi bërë një ulje drastike në shërbimin për zgjerimin e memories dhe ulje në një përqindje të caktuar në mirëmbajtje dhe një sërë shërbimesh të tjera”, tha Rama.
Kreu i Inspektoriatit Shtetëror, Eltar Deda ka raportuar mbi situatën formale në shërbimin shëndetësor duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për denoncimin e atyre që konkurrojnë pandershmërisht.
“Kemi vërejtur mungesë standardesh, mungesë protokollesh klinike, mungesë regjistrash të kartelave të pacientëve, mungesë personeli të kualifikuar dhe mungesë dokumentacioni të aparaturave dhe pajisjeve. E gjitha kjo përkthehet në një kosto të shërbimit ndaj qytetarëve. Si rrjedhojë, të gjitha këto sjellin mospërputhje mes numrit të shërbimeve shëndetësore të kryera nga subjekti dhe faturës së marrë nga pacienti”, tha Deda.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se 3 përqind të GDP-së e përbën vetëm shërbimi shëndetësor jopublik në Shqipëri, ndërkohë që klinikat dentare nuk deklarojnë vlerën reale që qarkullojnë.
“Kërkoj bashkëpunimin tuaj në luftën kundër informalitetit, të paktën në atë pjesë që ju intereson edhe juve drejtpërdrejtë; kufizimin, reduktimin maksimal të konkurrencës së pandershme. Në fund të fundit, barnat që hyjnë kontrabandë në farmaci shiten, barnat që vazhdojnë ende të vidhen nga spitalet në farmaci shiten. Një shpërndarës farmaceutik më tregonte që në momentin kur kemi një furnizim të kënaqshëm të spitaleve publike me barna, bie kërkesa për këto barna nga spitalet jopublike. Nëse vlerësohet konsumi real i materialeve dentare që importohen, rreth 9 milionë euro, 6 milionë euro rezulton në kanale normale të importit”, tha Beqaj.
Kryeministri Edi Rama theksoi se kuponi tatimor është garanci për shërbim të sigurtë dhe i kthen qytetarit atë që paguan.
“Tregtimi në kanale të pasigurta të barnave mjekësore është edhe më shumë se hajdutëri. Nëse kuponi tatimor përdoret gjerësisht në farmacitë e vendit, nuk mund të themi të njëjtën gjë për shërbimet dentare, s’mund të themi të njëjtën gjë për shërbimet laboratorike apo imazherike. Jam i bindur që lufta kundër informalitetit do të sjellë barna dhe materiale mjekësore më të sigurita, qoftë për nga origjina, qoftë për nga procedura e vendosjes në treg, qoftë për nga zinxhiri i shpërndarjes.
Rama u shpreh se do të ketë dënim me heqje lirie për inspektorët që bashkëpunojnë me ata që abuzojnë.
“Në paketën ligjore kundër informalitetit që do të kalojë në Kuvend javët e ardhshme, ndëshkimi për të gjithë ata inspektorë që fshehin aktivitetin ekonomik apo tregtar nga ata që kanë për qëllim të kontrollojnë, apo bashkëpunojnë në funksion të marrjes së ryshfetit do të ndëshkohen me heqje lirie, jo kur kapen me para në dorë, por kur zona e kontrolluar prej tyre është e kontaminuar nga ky bashkëpunim”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se do të nxiten punonjësit, të cilëve nuk u paguhen sigurimet shoqërore nga punëdhënësit, të denoncojnë duke u ruajtur anonimatin pasi shumë kompani deklarojnë punonjës me paga 220 mijë lekë të vjetra në mënyrë që të mos derdhin kontributet.