Duket se vendet evropiane, të cilat zotërojnë kundërajrorë Patriotë, po ngurrojnë t’ia japin Ukrainës ndonjë prej tyre. Ukraina ka shumë nevojë për së paku shtatë Patriotë për t’i frenuar sulme ajrore ruse.
Forca ajrore e Rusisë është shumë më e fuqishme se ajo e Ukrainës, por kundërajrorët e sofistikuar të aleatëve perëndimorë të Kievit mund të përbëjnë kërcënim të madh për aviacionin rus, teksa forcat e Kremlinin po çajnë përpara ngadalë përgjatë vijës së frontit 1.000 kilometra të gjatë.
Ministrja e Jashtme e Holandës, Hanke Bruins Slot, tha se vendi i saj “po e shqyrton çdo mundësi tani për tani” dhe se po i fron mbështetje financiare një nisme gjermane për ta ndihmuar Ukrainën ta përforcojë mbrojtjen ajrore dhe të blejë më shumë dronë.
E pyetur gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian pse Holanda po ngurron t’ia japë Ukrainës disa Patriotë, Slot tha: “Ne po shqyrtojmë përsëri nëse mund të japim nga rezervat tona, por do të jetë e vështirë”.
Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake “i ka hartuar armët tona në dispozicion nëpër aleancë dhe ka kundërajrorë të cilët mund t’i dhurohen Ukrainës”.
Ai nuk tregoi se cilat vende zotërojnë kundërajrorë Patriotë.
Patriotët janë kundërajrorë raketorë të cilët mund t’i godasin avionët luftarakë, raketat lundruese dhe raketat balistike me rreze të shkurtra veprimi.
Përparësi e rëndësishme e këtyre kundërajrorëve të prodhuar nga SHBA-ja, përveç efikasitetit të tyre, është edhe fakti se trupat ukrainase janë të stërvitura se si t’i përdorin ata.
Nevojitet kohë e gjatë për të prodhuar Patriotë – hiç më pak se dy vjet, sipas disa parashikimeve – prandaj vendet po ngurrojnë t’i japin ata dhe ta ekspozojnë veten. Gjermania i ka 12 të tillë, por po ia jep tre Ukrainës.
Polonia, e cila është në kufi me Ukrainën, i ka dy kundërajrorë Patriotë dhe i duhen për ta mbrojtur veten.
I pyetur nëse vendi i tij do të ofrojnë ndonjë, ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha: “Nuk e përjashtoj këtë mundësi, por tani për tani jemi të përqendruar të kontribuojmë financiarisht.”
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se vendi i tij do ta marrë “vendimin në përputhje me pushtetin që e ka për ta mbështetur Ukrainën”./REL