Paralajmërohen kontrolle për festat e fundvitit
Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut theksojnë se ditëve të fundit shënohet një zvogëlim i dukshëm i Covid-shifrave që konfirmohet me faktin që javën e kaluar për 17% është zvogëluar numri i rasteve të reja me Covid-19, kurse shifrat e djeshme flasin edhe për 25% ulje të numrit të të testuarve që rezultojnë pozitiv. Krahas stabilizimit të situatës ajo që shqetëson qytetarët është numri i lartë i vdekjeve që raportohen në baza ditore. Deri tani betejën me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut e kanë humbur 2 354 qytetarë.
Krahas uljes së ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus, autoritetet e vendit nuk kanë paralajmëruar zbutje të masave për festat e fundvitit. Mbeten në fuqi edhe masat që nënkuptojnë mbylljen e lokaleve në orën 18:00. Inspektoratet kompetente paralajmërojnë kontrolle të shtuara gjatë festave.
Në Maqedoninë e Veriut ka filluar pagesa e mbështetjes financiare nga ana e qeverisë. Qytetarët, 6 000 denarë, apo rreth 100 euro i marrin përmes xhiro-llogarive nëpër banka. Kjo ka bërë që të shtohen rrëmujat para bankave, kurse autoritetet druajnë për paraqitjen e ndonjë vatre infektimi.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se gratë shtatzëna lirohen nga puna dhe obligimet e punës me prezencë fizike në vendin e punës, deri në përfundimin e pandemisë me Covid-19.