Botuesi dhe shkrimtari

Midis nesh

Një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në botë, me flokë e me mjekër të gjatë, të shpupurishur, me një pamje e veshje si një i ngratë, me një trastë të madhe hedhur mbi shpinë, u fut në një shtëpi botuese!

  • Ç’kemi, o i shkretë, do të bëhesh shkrimtar?
  • Po, i tha plaku!
  • Çfarë ke shkruar?
  • Kam shkruar “Ana Kareninën”, “Luftën dhe Paqen”…
  • Si të quajnë?
  • Lev Nikolajeviç Tolstoj!

Ky emër i “plakut të shkretë” ngeli i përjetshëm! Po kush ishte personi tjetër, botuesi, të cilit as që i dihet emri, sado që në atë kohë vetë-llogariteshin si ajka e aristokracisë! Po në cilën shtëpi botuese u fut Tolstoi? Cili është morali i këtij rrëfim?
A ka ndryshuar gjë pas gati një shekull e gjysmë? Cili është raporti i botuesve me shkrimtarët? Fatkeqësisht, edhe sot, si gjithmonë, botuesit sillen si fati i krijimtarisë letrare! Tek botuesit edhe më tej mbisundon bindja se, të kotë janë shkrimtarët, të kotë janë dorëshkrimet e shkrimtarëve, sepse “jemi ne, pastaj janë shkrimtarët”!
Natyrisht, çdo shkrimtar pas një oferte me leverdi, do të pranonte që të kishte një botues në një vend dhe, të mos rendte poshtë e lartë për të botuar veprat e veta. Ky pajtim i shkrimtarit, nga çdo botues interpretohet si “ra ky, u dorëzua, pa mua nuk ia bën dot”! Dhe, tevona fillon e sillet si shpëtimtar, si kontribues i pashoq (mbase edhe i vetëm!!!) që i jep letërsisë shqiptare kryevepra! Si zorra në prush do të përpiqet që të na shpërfaqet me rol dominant në krijimin e letërsisë shqiptare! Do të përkujdeset për imazhin e vet si botues dhe të shtëpisë botuese, duke ia organizuar ndonjë promovim të librit shkrimtarit që e ka “personalizuar”, t’i organizojë ndonjë ditëlindje, ndojnë event për nder të botimit të librit të parë të shkrimtarit etj. Pra, duhet të dalë se ky është ai falë të të cilit kemi shkrimtarin, kryeveprën e tij, opusin e gjerë të veprimtarisë së tij, krijimtarinë letrare bashkëkohore! Ky është oksigjeni i shkrimtarit të “intubuar”! Vijmë deri te një imazh fallco i një mediokri i cili ia del që, më tepër të flitet për botuesin e shkrimtarit, se sa për kryeveprën e shkrimtarit!
Në tërë botën botuesit trajtohen si biznesmenë, të cilët fitojnë mirë nga angazhimi fisnik, nga veprimtaria botuese si dhe nga shpërndarja e mirë e botimeve! Askund nuk njihen dhe nuk trajtohen si pjesë përbërëse e letërsisë kombëtare! Do të ishte injorancë e madhe sikur shitësi, dyqanxhiu, ai që shet qumështin (qoftë edhe ai që e paketon) të llogaritet si fermer, si prodhues i qumështi!
Vrapimi pas shkrimtarëve të mirë, shkrimtarëve me renome kombëtare e botërore, është vetëm një vrapim i rëndomtë pas zhvillimit të biznesit. Shtëpitë botuese nuk angazhohen për shkrimtarin se e duan aq fort, se e respektojnë më shumë se çdo njëri tjetër, apo se krenohen me krijimet e shkrimtarit, por, thjesht, ata angazhohen për ta “përvetësuar” shkrimtarin, sepse ai do t’u sjell përfitime të majme!
Pa dyshim, të gjithë botuesit janë shumë të vetëdijshëm se nuk mund ta kenë fatin e shkrimtarit, të jenë të përjetshëm. Fati i botuesve do të ngelë po ai i botuesit të dorëshkrimeve të Tolstoit, i cili sot e gjithë jetën do të vlerësohet për kryeveprat e tij dhe jo për aftësinë e tij për të gjetur botues “aristokrat” e të fortë! Veprat nuk e bëjnë të famshëm botuesin, por, natyrisht, krijuesin! Botuesit nuk guxojnë që të ndjehen më shumë se sa servis që ia ofron lexuesit atë që ka krijuar shkrimtari! Botuesi normal as që i afrohet famës së shkrimtarit, rri sa më larg, sepse përpjekja për t’u veshur me pakë famë nga sukseset krijuese të shkrimtarit, do të rezultojë në palaçollëk që vetvetiu të hedh në anonimitet. /HEJZA/

Leave a Reply