Dimër i madh për kulturën në Evropë

Kriza

Pothuajse në të gjithë shtetet e botës buxheti vjetor miratohet në prag të fundvitit. Për vitin 2022 buxheti vjetor është miratuar në muajin e fundit të viti 2021. Në këtë buxhet, përveç tjerash, parashihet edhe buxheti vjetor për kulturë, në veçanti për institucionet nacionale që merren me kulturë. Niveli i buxhetit përcaktohet nga standardi jetësor i viti. Në dhjetor të vitit 2021 asnjë shtet në botë (madje as vetë Rusia) nuk e kishin paraparë këtë krizë ekonomike që po e merr tatëpjetën që nga shkurti i vitit 2022, kur edhe nisi agresioni rus mbi Ukrainë. Rusët ishin të bindur se Ukraina do të nënshtrohet brenda javës së parë të invazionit.
Buxheti relativisht i lartë, i caktuar për institucionet kulturore, ka përjetuar një devalvim si pasojë e inflacionit të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në planifikimin financiar të institucioneve kulturore zëri për mirëmbajtjen e objekteve kulturore “gëlltitë” një përqindje të konsiderueshme nga buxheti. Që nga janari i këtij viti e deri më sot fatura e energjisë është rritur për 10-15 herë më shumë. Kjo nënkupton se këto fatura do të jenë të papërballueshme pa prekur në pagat e artistëve, administratës dhe personelit teknik të institucioneve të kulturës. Në këtë hall janë të gjithë institucionet kulturore të shteteve evropiane dhe të SHBA-së që kanë ndërmarrë një sërë masash ekonomike e politike kundër Rusisë.
Institucionet kulturore nëpër shtetet e BE-së do ta kenë të rëndë këtë dimër! Teatri 111-vjeçar Erkel në Budapest tashmë ka paralajmëruar se do të mbyllë dyert e tij për këtë dimër, pasi rritja eksponenciale e faturave të energjisë, e bën të pamundur ngrohjen e ndërtesës me plot 1800 vende. Janë të shumtë institucionet e tilla grandioze nëpër shtetet evropiane, të cilat janë shumë pranë të ndërmarrin hapin e Erkel-it! Edhe menaxherët e institucioneve të shumta kulturore pajtohen me konstatimin human të drejtorit të Operës Shtetërore Hungareze, Szilveszter Okovacs, i cili shprehet se për momentin “pagat e punëtorëve janë më të rëndësishme” se aktivitetet kulturore në sallë të ftohtë ku do të rrezikoheshin artistët në aspektin shëndetësor dhe ku do të mungonte publiku.
Janë disa ngjarje kulturore që nuk mund të zhvillohen në ambiente me kushte dimri. Vendimi i drejtorit hungarez, Okovacs, duhet të konsiderohet si solidaritet me hallet shtetërore e nacionale që po i shton kriza energjetike si pasojë e një lufte barbare ruse, mbi të gjitha, duhet të konsiderohet si humanizëm dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj artistëve e krijuesve, të cilët, për asnjë çmim nuk duhet të detyrohen të punojnë në kushte që paraqesin rrezik për shëndetin e tyre.
Natyrisht, qeveritë e shteteve evropiane duhet ta përshëndesin këtë hap të institucioneve të ndryshme kulturore dhe mos t’ia llogarisin si “sabotim” apo të kërkojnë prej tyre të punojnë për aq sa e kanë buxhetin! Aktivitetet muzikore-skenike dhe filmike mund të “heshtën” këtë dimër në llogari të aktiviteteve muzeale, të cilat janë me relikte e me eksponante që kërkojnë sigurimin e domosdoshëm të ambientit konstant si me dritë, me temperaturë ashtu edhe me lagështi. Madje, askush nuk prononcohet, askush nuk ofron një parashikim për kohëzgjatjen e kësaj situate jonormale! Mbase, “heshtja kulturore” do të zgjasë deri në një stabilitet të përshtatshëm politiko-ekonomik!
Nuk është turp që për shkak të kushteve të vështira “të heshtën” aktivitetet kulturore, turp është që mos të ruhen vlerat kulturore kombëtar, apo edhe më keq, të përfitohet prej tyre! Ujku mjegull do! /HEJZA/

Leave a Reply