Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi shpejt u bë sinonim i lëvizjes së lirë – liberalizimit të vizave. Menjëherë pas votimin të Demarkacionit shpërthyen postimet e qytetarëve, ku shprehnin gatishmërinë për të udhëtuar pa viza. Derisa ndërkombëtarët janë fokusuar tash te kushti tjetër, luftimi i korrupsionit, zyrtarët kosovarë po japin data të ndryshme se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. Por, kur saktësisht do të mundë qytetarët të dalin lirshëm jashtë Kosovës?
Bashkimi Evropian kishte bërë thirrje të panumërta në drejtim të Kosovës. Kërkesa e tyre ishte e thjeshtë: ratifikimi i Marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ky ishte kushti kryesor për liberalizimin e vizave, por jo edhe i vetmi sepse qeveritarët e kanë për detyrë ta luftojnë korrupsionin.
Matja e luftës së korrupsionit është një proces i vazhdueshëm, ndërkohë që krejtësisht është në duart e evropianëve.
Por në Prishtinë kjo nuk i ka penguar zyrtarët që të përmendin afate.
Përfaqësues të koalicionit qeverisës kanë disa data në të cilat thonë se kosovarët do të lëvizin lirshëm. Vetëm në Televizionin T7, menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhanë dy afate.
Në emisionin “Pressing”, Veseli u shpreh i bindur se liberalizimi i vizave do të bëhet në gjysmë të dhjetorit.
“Në fund të këtij viti, nga mesi i dhjetorit, mendojmë që do të përfundojë çështja e udhëtimit të lirë të kosovarëve pa viza”, është shprehur ai në T7.
Ndërsa, Pacolli beson se lëvizja e lirë mund të bëhet edhe më herët se sa ka thënë Veseli.
“Para qershorit nuk besoj, por jam i bindur që gjithçka që kryhet praktikisht në Parlamentin Evropian, do të kryhet para muajit maj. Më pas shtetet anëtare duhet ta trajtojnë situatën e Kosovës. Nëse ekziston një datë kur dakordohen kur do të vendoset për çështjen e Kosovës”, ka thënë Pacolli.
“Vendimi mund të merret para qershorit, por lëvizja e lirë do të mundë të ndodhte pas tetorit”, ka shtuar ai në emisionin “DPT te Fidani”.
Ndërkombëtarët nuk kanë datë të saktë kur qytetarët përfitojnë atë që i është premtuar – lëvizjen pa viza.
Zyra e BE-së, me anë të një komunikate, sot ka përgëzuar deputetët për ratifikimin e Demarkacionit, por vë theksin në kriterin e mbetur për liberalizim të vizave, që është korrupsioni.
“Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Express/