Sepp Blatter është rizgjedhur në krye të trupës qeverisëse të futbollit botëror, FIFA, për të pestin mandat radhazi, pavarësisht se votimi u errësua nga skandali më i rëndë që ka goditur këtë organizatë, me 7 të arrestuar për shkak të akuzave për korrupsion.
Rivali i Blatterit, Princi Ali bin al-Hussein i Jordanisë, u tërhoq nga gara pas raundit të parë të votimit, gjatë të cilit askush prej tyre nuk siguroi 2/3-tat e votave të nevojshme për t’u zgjedhur president i FIFA-s. Blatter kishte nevojë për 7 vota më shumë, por Princi Ali zgjodhi të mos vijonte më tej garën.
7 zyrtarë të lartë u arrestuan në Zvicër gjatë së mërkurës, si pjesë e një hetimi amerikan të FBI-së, që ka përfshirë 14 persona në total. Blatter, 79 vjeç, është përballur gjatë dy ditëve të fundit me presione dhe thirrje për të dhënë dorëheqjen, përfshi edhe nga kryeministri britanik, David Cameron, i cili të enjten në Berlin tha se Blatter duhet të largohet dhe “sa më shpejt aq më mirë”.
Votimi u mbajt në Kongresin e FIFA-s në Zyrih, ndërsa secilit kandidat iu deshën 140 vota për të fituar në raundin e parë. Dy kandidatët mbajtën fjalimet e tyre përfundimtare për t’u bërë thirrje zgjedhësve të votonin për ta.
Princi Ali, 39 vjeç, u shpreh përpara nisjes së votimit se ditëve të fundit janë ngritur shumë dyshime “nëse familja jonë e FIFA-s ka tashmë një moral të falimentuar”.
“Nuk ka asnjë përgjigje të lehtë, as fajësim ndaj dikujt, që të mund të lehtësojë dëshirën për të larë të gjithë këtë pisllëk që na është shenjuar të gjithëve ne. Sot është momenti i parë, drejt një procesi ndryshimesh, një tjetër mbrëmje gjatë së cilës na duhet të ecim në errësirë… për të dalë në dritë sërish”, tha Princi Ali.
Blatter, nga ana e tij deklaroi se “jam duke u konsideruar përgjegjës për stuhinë e fundit të ngritur ndaj nesh. Sigurisht, do të marr përsipër përgjegjësitë e mia dhe do të bëj gjithçka të mundshme për të ndrequr të gjitha problemet e FIFA-s, së bashku me ju. Në fund të mandatit tim të ri, do të kem mundësi të dorëzoj një FIFA edhe më të fortë, një organizatë që të jetë e integruar dhe të ketë mjaftueshëm siguri, në mënyrë që të mos ketë nevojë për ndërhyrjet politike”.
Duke marrë duartrokitjet nga një numër i madh delegatësh, ai shtoi se “do të më pëlqente të qëndroja përkrah jush dhe të ecim së bashku me ju përpara”.
Jo vetëm FBI dhe Zvicra, që kanë nisur hetime të ndara, por edhe shumë prej sponsorëve të fuqishëm të trupës qeverisëse të futbollit, përfshi Coca Cola, Visa, Adidas, McDonald’s, Hyundai Motor dhe Budweiser, kanë shprehur të gjithë shqetësimet në lidhje me hetimet e fundit