Letër nga Shkupi
Në Maqedoninë e Veriut dyshimi ndaj shqiptarëve vazhdon të jetë një lloj lajtmotivi në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore ku, sa për sy e faqe, janë të përfshirë ata. Dyshimi ndaj shqiptarëve ishte dhe është një kod, të cilin, së paku deri tani, askush nuk mëtoi që të zbërthehet deri në palcë, sepse asnjëherë nuk u shtrua si problem, si diçka që duhet trajtuar në formë të prerë.
Kjo, gjithsesi ka të bëjë me filozofinë e mjerë shqiptare: më mirë pak se aspak. Në të vërtetë, në atë kënaqësi me pak, askush nuk e çan kokën për marrjen e rolit të figurantit, e as të ndarjes së thërrimeve (për ta) nga kulaçi shtetëror, për të cilin kontribuojnë në masë të madhe edhe shqiptarët. Kjo, sidomos vërehet në institucionet e kulturës, përkatësisht në ndarjen e mjeteve nga programi vjetor ku shqiptarët (në pushtet) bëjnë çmos që si sukses ta konsiderojnë vetëm sasinë, duke shkelur me të dy këmbët mbi cilësinë.
Dhe, kur mungon cilësia, në sipërfaqen e ujërave të së keqes notojnë vlerat e dyshimta, që nuk i bëjnë nder përgjithësisht kulturës shqiptare, por vetëm politikave të mbrapshta ditore.
Kësaj dukshëm i kontribuon edhe heshtja e atyre që veten e konsiderojnë intelektualë, heshtje kjo që është blerë me një çmim të papërfillshëm nga disa diletantë, të cilëve u ka rënë për hise t’ia qepin kostumin (e ngushtë) kulturës shqiptare, të cilin angazhim këta diletantë e konsiderojnë si diçka që do të shënohet në analet e historisë.
Kur heshtin intelektualët, përkatësisht kur heshtin artistët, ata që duhet t’i japin hov letërsisë, muzikës, teatrit, pikturës, filmit e kështu me radhë, atëherë është e qartë se ata janë vetëm figurantë që as flasin, as dëgjojnë as shohin, por vetëm kënaqen me ato pak lekë nga shitja e tyre.
Duke qenë gjithnjë të strehuar aty ku konsiderojnë se kanë gjetur “lumturinë”, pra në margjinat e proceseve të ndryshme ku mungon zëri i tyre, hendekun e krijuar e plotësojnë ata që nuk e ndjejnë fare peshën e identitetit kombëtar, duke u krijuar vend lirshëm vlerave që s’kanë asnjë pikë të përbashkët me ato shpirtërore shqiptare.
Dhe, ndërgjegjja e askujt nuk shqetësohet për këtë çoroditje, për këtë rrëshqitje morale, për këtë dështim intelektual dhe rrënim të vlerave shpirtërore kombëtare. Kjo, natyrisht ia hap shtegun dyshimit midis shqiptarëve dhe kjo do të thotë rrënim përbrenda, kurse jashtë dyshimi ( i palës tjetër) ndaj shqiptarëve vetëm e bën edhe më të plotë këtë rrënim, i cili fatkeqësisht kalon pa pengesa pranë heshtjes shqiptare…
/HEJZA/