Skandalet e korrupsionit dhe dorëheqja e paparalajmëruar e Sep Blatter nga posti i presidentit të FIFA-s, u ka hapur rrugën hamendësimeve të shumta për pasardhësin e zviceranit, i cili duhet të jetë personalitet me dorë të hekurt, në mënyrë që të rimëkëmbë imazhin e FIFA-s.
Për të mësuar këtë emër duhen edhe pak muaj, pasi kongresi i jashtëzakonshëm pritet të zhvillohet mes muajit dhjetor të këtij viti dhe marsit të vitit të ardhshëm.
I pari në listën e pretendentëve qëndron Ali bin Al Hussein, princi arab i cili menjëherë pas largimit të Blatter, ka shprehur gadishmërinë për t’u rikthyer në një garë, tashmë, sipas tij, jo të korruptuar. Një tjetër emër i madh është ai i Michel Platini-së, kundërshtari më i madh i Blatter-it në këto vitet e fundit.
Ende nuk dihet nëse francezi do të vazhdojë detyrën e tij si president i UEFA-s, apo do të jetë sërish një nga mbështetësit kryesorë të princit të Jordanisë. Në listën e kandidatëve të medias është futur edhe Diego Armando Maradona, një tjetër kritik i madh i zviceranit Blatter.
Mbështetësi kryesor i argjentinasit është presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, sipas të cilit vetëm një kampion bote si Maradona mund të rikthejë imazhin e humbur të FIFA-s.
Nga Amerika e Jugut mund të vijë një tjetër legjendë e futbollit botëror, dhe bëhet fjalë për brazilianin Zico. Për momentin është vetëm një ide, pasi ende nuk është bërë publike asnjë federatë e cila mund ta mbështesë 62-vjeçarin.
Një emër i panjohur mes këtyre kandidatëve vjen nga Lindja e Mesme. Mediat botërore shkruajnë se miliarderi koreano-jugor, Chung Mong-Joon, mund të jetë një emër i përshtatshëm për garën e presidentit të FIFA.
63-vjeçari, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe president i federatës së futbollit të vendit të tij, ka garuar në zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut në vitin 2002.