Letërsia

Mario Vargas LLOSA /

Letërsia është një gënjeshtër që fsheh një të vërtetë të thellë: është jeta ashtu siç nuk ka qenë, jeta siç donin ta jetonin burrat dhe gratë e një epoke të caktuar, por që nuk e jetuan dot, kështu që u është dashur ta shpikin nga mendja. Ajo nuk është fytyra e historisë, përkundrazi, është ana e kundërt ose ana tjetër e saj: është ajo që nuk ka ndodhur dhe, si pasojë, duhej të fabrikohej me mendje dhe fjalë, për të realizuar ambiciet që jeta e vërtetë nuk mundi t’i plotësonte, për të mbushur boshllëqet që gratë dhe burrat shihnin përreth tyre, të cilat ata u përpoqën t’i mbushnin me fantazma të vetëkrijuara. Natyrisht, ky rebelim është relativ. Shumë shkrimtarë nuk janë aspak të vetëdijshëm për këtë dhe, në rast se do të ndërgjegjësoheshin për rrënjët kryengritëse të thirrjes së tyre të brendshme për të shkruar, ka të ngjarë të habiteshin dhe të frikësoheshin, pasi në jetën e tyre publike, sigurisht, nuk u ka shkuar ndonjëherë ndër mend se po komplotojnë fshehurazi për të hedhur në erë botën ku jetojnë. Nga ana tjetër, rebelimi i tyre është mjaft paqësor. Fundja, ç’të keqe ka t’i kundërvësh jetën imagjinare jetës reale? Ku qëndron rreziku në një garë të tillë? Në vështrim të parë, nuk ka asnjë rrezik. Është thjesht një lojë, apo jo? Dhe lojërat nuk mendohen se janë të rrezikshme për sa kohë që nuk kanë të ngjarë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u përzier me jetën e vërtetë. Natyrisht, kur dikush, Don Kishoti apo Zonja Bovari, këmbëngul të përziejë letërsinë me jetën dhe rreket ta bëjë jetën të ngjashme me letërsinë, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Kësisoj, loja e letërsisë nuk është e pafajshme. Fryt i pakënaqësisë së thellë me jetën e vërtetë, letërsia është vetë burim pakënaqësish dhe shqetësimesh. Ata që me anë të leximit jetojnë një histori të madhe – si dy historitë që përmenda më sipër, të shkruara nga Cervantes-i dhe Flaubert-i – vijnë në jetën e vërtetë me një ndjeshmëri më të madhe ndaj kufizimeve dhe papërsosmërive të saj, të ndërgjegjësuar prej krijimeve të mrekullueshme të fantazisë së tyre për faktin se bota e vërtetë dhe jeta siç e jetojmë, janë mjaft më mediokre se jeta e shpikur prej romancierëve. Kur lexuesi përballet me jetën e vërtetë, turbullimi i ngjizur nga një letërsi e mirë, në rrethana të caktuar, mund të kthehet në akte rebelimi kundër autoriteteve, institucioneve apo bindjeve të rrënjosura.(Hejza)

Leave a Reply