KOHA, KOSHI MË I MIRË I PLEHRAVE LETRARE
Artur Spanjolli u arsimua në Durrës. Në vitin 1988 mbaroi liceun artistik të Durrësit. Në vitin 1989 shkroi poezitë e para, të cilat i mblodhi në tre vëllime, por për vetë rrethanat e censurës së sistemit komunist nuk mundi t’i publikonte (iu dha mundësia t’i botonte vetëm në vitin 1994 në librin me titull “Nata e qiparisave të huaj”, botuar prej Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”).
Në vitin 1992 u largua nga Shqipëria si fitues i çmimit “I giovani incontrano l’Europa, organizuar nga Rai 3. Vendosi te mbese si klandestin në Itali me ëndrra për një jetë më të mirë dhe sidomos për të studiuar në një nga universitetet italiane. Në vitin 1993 u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Firence të Italisë dhe u diplomua në vitin 2000. Gjatë këtyre viteve të qëndrimit si emigrant në Itali ka shkruar dhe ka botuar disa libra në shqip e në italisht. Jeton në Itali, por nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me atdheun e tij, Shqipërinë. Bashkëpunon me shtypin letrar shqiptare sidomos me revisten VOAL. Është një nga krijuesit më të spikatur të brezit të vet. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA). Me librin “Kronika e një jete në heshtje” ka fituar çmimin e dyte në konkursin e organizuar nga DS me titull: “Popoli in Cammino”.
Pos “Nata e qiparisave të huaj”ka botuar edhe“La Cronaca di una vita in silenzio” (2003), Besa Editrice, Itali, “Kronika e një jete në heshtje” (2005), Besa Editrice, Itali, “Eduart” (2005), Besa Editrice, Itali, “La Teqja” (2006), Besa Editrice, Itali, “L’accusa” (2007), Ediarco, Itali, “I nipoti di scanderbeg” (2008) Itali, Besa editrice, “La sposa rapita” Itali, Besa editrice.
HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!
SPANJOLLI: Arsyeja kryesore pse unë fillova të shkruaj, nuk ishte malli apo nostalgjia për atdheun besoj. Pak unë e dija që duhej të shkruaja. E kam ndjerë këtë nevojë shpirtërore që kur isha 18 vjeç. Një nevojë e brendshme, e cila lind dhe rritet vetvetiu brenda ndërgjegjes së artistit. Por, arsyeja kryesore pse fillova të shkruaj, dhe këtë doja ta beja në gjuhën bujtëse, italisht në rastin tim konkret, ishte një ndjesi humbje identiteti brenda meje. U gjeta papritur në botën e madhe, fillikat i vetëm, ndaj ndjeva këtë humbje. Një proces i cili është sa i ndërgjegjshëm, po aq edhe i pandërgjegjshëm. Kështu më lindi ideja e romanit “Kronika e një jete në heshtje!” T’u tregoja pra italianëve, popullit fqinj, nga vija, kush isha, çfarë prezantoja dhe kush ishin vlerat e mia familjare. Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes, sot besoj, të gjithë shkrimtarët e mirëfilltë shkojnë drejt një ndërgjegje globale shkrimësie. Ashtu siç po ndodh me fenomenin e internetit që udhëton kudo, edhe librat e mirë duhet të jenë internacionalë, siç janë edhe mesazhet që ato vetë përcjellin.
HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializmit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?
SPANJOLLI: Personalisht, letërsia ime ka lindur falë adhurimit të pamasë, falë magjepsjes time totale nga forma e shkrimit hispanik. Markezit, në radhë të pare, por edhe Ljosës, Asturiasit, Rulfos, Borgesit dhe disa të tjerëve. Ishin ata, sidomos Markezi, që më shtyu të rrëmoja te fantastikja, tek elementet mitologjikë dhe të mrekullueshme të shprehjes. Gjeta shumë ngjashmëri mes botës time familjare orientale dhe komuniste, ose mysliman -komuniste, me realizmin magjik të veprave të këtij të fundit. Elemente, të cilat unë pretendoja t’i shprehja me gjuhën e Dantes. Ia dola mbarë vetëm mbas tetë vjet studimi dhe pune me gjuhën italiane.
HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!
SPANJOLLI:Çështja e përkthimeve është një çështje shumë komplekse. Po aq e domosdoshme që letërsia e mirë e çdo kombi të lexohet në atdhe, po ashtu duhet të ndodhë edhe e kundërta. Por, popujt e vegjël si i yni, janë më të limituar në këtë shkëmbim. Gjithmonë përkthimet e autorëve shqiptarë në gjuhët e huaja të Evropës bëhen besoj privatisht, por mendoj se ministria e Kulturës shqiptare, institucionet shqiptare duhet të bëjnë më shumë për promovimin e librit shqiptar jashtë kufijve të atdheut.
HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese nga organet respektive shtetërore?
SPANJOLLI: Kjo është një pyetje shumë interesante dhe e rëndësishme. Me mua ndodhi diçka e çuditshme. Në fillim të viteve 90 doja veç të lexoja, të përftoja dhe të shkruaja në gjuhët e huaja, italisht në rastin tim. Por, mbasi boshllëqet mbushen, mbasi mungesat kulturore mbushen pra, atëherë, pak nga pak, mbas këtij procesi ngopje, ndodh një tjetër. Si udhëtari kurjoz, i cili ka bredhur botën (kulturore) i lodhur dhe i kënaqur me njohjen ndërkombëtare, ai pra, kërkon sërish të kthehet në shtëpi. Ndaj edhe tek mua rilindi dëshira t’i kthehesha shqipes. Gjuha mëmë, për ripërtëritjen e së cilës, m’u deshën shumë lexime të reja, për ta rimëkëmbur brenda meje.
Shtëpitë botuese kanë jetën e tyre. Kanë arsyet e tyre pse ekzistojnë dhe kanë ligjet e tyre komerciale. Nuk mund të thuhet asgjë për shtëpitë botuese. Ka nga ato që janë profesionale dhe nuk mendojnë veç për fitimin, ka edhe nga ata që ecin me financimet e vetë shkrimtarëve. Vetëfinancimi nuk më duket “korrupsion kulturor”, është pjesë logjike e ligjeve të tregut. Shumë editor e shohin librin si mall për ta shitur në radhë të parë, jo si mesazh kulturor i cili duhet përcjellë. Editoria si MISION, është privilegj i fare pak ditorëve, të cilët me tërë mend e duan librin dhe kulturën, si Onufri, Toena, Dituria etj.
HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!
SPANJOLLI: Kritika shqiptare, shoh se është fare indiferente mbi shkrimtarët shqiptarë të diasporës. Kjo edhe për faktin se librat shkruhen në gjuhë të ndryshme nga shqipja dhe nuk mund të lexohen në atdhe. As frëngjisht, italisht, gjermanisht, greqisht etj. Ato janë vërtet dy vlera që ecin paralelisht. Me sa duket njeriu shqiptar, mbas 30 vjetësh emigracion, ka nevojë të thotë, të shprehet pra edhe me formën letrare. Nëpërmjet librave pra. Kjo do t’i shërbejë edhe të gjejë më mirë vetveten, t’i bëjë një analizë identitare vetvetes së shpërndarë në qindra pjesë, nëpër botë.
HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!
SPANJOLLI: Varet kush i bën këto antologjitë. Duhet t’i bëjnë studiuesit kompetentë, jo amatorët libradashës. Nëse gjej në antologji emra shkrimtarësh të cilët nuk kanë libra në treg, nuk kanë një kurrikulum letrar të bollshëm, nuk kanë njohjen dhe kulturën e duhur, atëherë janë antologji bëra shkel e shko. Pa profesionalizëm dhe pa seriozitet. Autorët e diasporës duhet të përfshihen patjetër, ata janë një degëzim shumë i pasur i letërsisë bashkëkohore shqiptare. Pa ta letërsisë shqipe i bëhet një padrejtësi e madhe.
HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?
SPANJOLLI: Qe një periudhë, mbas viteve 90, kur vlerat letrare e humbën funksionin e tyre, u duk se u zbehën. Njerëzit jo vetëm që nuk mendonin të shkruanin më, por ata as nuk e kishin mendjen për lexime. Të gjithë turreshin të krijonin një të ardhme sa më të mirë. U duk se mungesat kulturore nga sistemi monist, ato mungesa që kishin shtyrë njerëzit të lexonin libra sa më shumë, tani po zbeheshin fare. Por, mbas viteve 2000, gjërat sikur u qetësuan dhe prapë filluan të merreshin me libra. Tani, me sa shoh unë letërsia shqiptare është në kulmin e saj krijues. Si brenda po ashtu edhe jashtë vendit. Fakti që me një popullsi prej 3 milionësh mbijetojnë gati 200 editorë librash, tregon se libri shitet, pra biznesi ecën. Nëse dikur, 90 për qind e librave ishin të helmuar nga ideologjia komuniste, tani, ndoshta kemi një konsum të librit mediokër apo komercial. Por, në çdo letërsi popujsh, gjithmonë ka pasur libra të tillë, mediokër të cilët vetëm koha do t’i hedhë tej, edhe pse shpesh ato libra jetojnë një lavdi të pamerituar për momentin. Koha pra është koshi më i mirë i plehrave letrare.