Politikë dhe poezi

E shëmtuara kur vë dorën mbi të bukurën, për qëllim ka që atë ta njollosë, ta përlloç, ta përdhos! Edhe e bukura, nëse vendos që të bëjë jetë paraziti e kapur si ushejzë për të shëmtuarën, e ka të garantuar fishkjen, përfundimin në pleh!
Një trup i bukur dhe i shëndetshëm, por me gjymtyrë të mpira, ka gjasë që të plandoset përdhe dhe të bëhet pis nga lëvizjet e pakontrolluara dhe të pavullnetshme të gjymtyrëve të mpira. Në rrafshin politik kjo do të dukej kështu: një komb, gjysma e të cilit ka qëndrim estetik refuzues dhe gjysma tjetër, për inat të këtij refuzimi kërkon ta absorbojë çdo gjë që shitet si vlerë! Ky refuzim vjen si pasojë e një trishtimi, e një dhembje nga plagët përjetësisht të pashërueshme të shkaktuara nga një mekanizëm që gjenocidin e kultivon si “vlerë estetike” kombëtare! Natyrisht, është konstatim shkencor: nëse gjysma e trupit nuk angazhohet për ta shëruar gjysmën tjetër, atëherë edhe pjesa e shëndoshë ka rrezik të shkërmoqet, duke vrapuar pas “vlerave” të diskutueshme të cilat nuk i honeps për më të madhin kiamet gjysma tjetër. Pra, në lojë janë vetëm dy opsione: ose të shërohet gjysma “e sëmurë”, ose të pranohet “refuzimi estetik” i kësaj gjysme, e cila shprehet kundër mekanizmit që për “vlerë estetike” ta ofron gjenocidin!
Pse gjysma e kombit nuk dëshiron ta dëgjojë këngën e kantautorit serb, Goran Bregviq, e cila na qenka vlerë artistike e pranuar nga mbarë bota? Çfarë plagë të trishtueshme ngacmon zëri i tij, muzika e tij e përdorur në marshime drejt krimit dhe gjenocidit?
Këto ditë, drejtori i bibliotekës nacionale serbe qenka takuar me disa drejtorë kulturorë të Shqipërisë, me ç’rast paskan nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ndërkulturor të nxitur nga “programi” i Ballkanit të Hapur! Paskan vendosur që hapi i parë në këtë bashkëpunim kulturor të jetë botimi i një “antologjie” të poezisë shqipe dhe serbe, të përfaqësuar nga tre poetë shqiptarë dhe tre serbë! E para: një antologji e tillë nuk mund të jetë “e poezisë shqipe”, por mund të jetë vetëm prezantim i tre poetëve nga Shqipëria! E dyta, një antologji e tillë e përkthyer në gjuhën serbe do të ishte shumë perfide nëse aty nuk përfshihet, për shembull, poeti Jusuf Gërvalla, Latif Berisha, Ymer Elshani, me qëllim që t’i bëhet me dije popullit serbe se ja çfarë poetësh kanë vrarë “politikanët” kombëtarë serbë! Nuk ka antologji të poezisë shqipe nëse aty nuk përfshihet poezia e Hidajet Hysenit! A mund të ketë antologji të poezisë shqiptare e përkthyer në gjuhën serbe pa krijimet poetike të Teki Dërvishit, Sabri Hamitit, Adem Gashit etj.? Pa dyshim, nuk ka poetë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të cilit do t’i bënte nderë përkthimi i poezive në gjuhën serbe, në gjuhën e atij populli që është përdorur edhe për vrasje, për përdhunime, për burgosje e keqtrajtime, për gjenocid mbi shqiptarët! Pa dyshim, kjo gjuhë e ka edhe atë fjalën magjike “më fal”, por që nuk ka gojë serbe që e thotë këtë fjalë!
Natyrisht, përtej vlerave estetike kombëtare është krenaria dhe nëse kjo krenari bazohet në kolona të ngritura nga materia e krimit dhe gjenocidit, atëherë krenari është edhe refuzimi i çdo “vlere artistike” që ofrohet pa një pendesë përplot me trishtim për krime dhe poshtërsitë që i kanë bërë mbi popullin, të cilin mëtojnë ta dehin me “vlera artistike” që kundërmojnë në erë krimi e gjenocidi.
Nuk ka gjest më të përshpirtshëm, nuk ka vepër më estetike se sa përulja, kërkimi i faljes dhe distancimi nga shëmtia dhe krimi njerëzor i politikanëve neomillosheviqianë që e ushtruan mbi gjysmën e popullit shqiptar, rrjedhimisht, mbi vlerat e shenjta dhe estetike të këtij populli. Së këndejmi, nuk ka politikan shqiptar që për tri poezi që do të përkthehen në gjuhën serbe ta amnistojë krimin dhe të insistojë që gjysma e popullit “të plagosur” ta absorbojë “ofertën politike” si vlerë estetike dhe angazhim kulturor! /HEJZA/

Leave a Reply