ROL PERIFERIK I KRITIKËS NË SUKSESIN A VARFËRINË E NJË PRODUKTI LETRAR

Për HEJZA-n flet Virion Graçi, prozator

Virion Graçi, është një nga prozatorët tanë më të shquar dhe mjaft produktiv. Është i lindur në Gjirokastër, kurse deri më tani ka botuar: “San Valentino” (poezi, 1993) dhe romanet: “Të çmendur në parajsë” (1995), “Shpata e ndryshkur” (1999), “Bijtë e zotit majmun” (1999), “Babai në shi” (2000); “Zonja pa emër” (2005); “Litari dhe lamtumira” (2011); “Stina e hijeve” 2014, “Djali memec” (2016), “Pëllumbat i vrasin natën” (2018), “Dead End” (2019) “800 hapa larg Venerës” (2020). Graçi është dr shkencash në letërsi të krahasuar.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

GRAÇI: Nëse nuk kemi njerëz që shkruajnë letërsi, nuk mund të kemi letërsi. Por, a janë shkrimtarë të gjithë ata që shkruajnë? Natyrisht që jo. Por, nuk mund të bëjmë apriori rrafshime, si në rrafshin e pohimit ashtu dhe në rrafshin mohues; secili shkrimtar ka rëndësinë, parëndësinë dhe tiparet e veta të dallueshme. Kalimi nga hamendësimi, ëndërrimi me sy hapur se jam talent, jam letrar – te shkrimi, te sprova konkrete, është i domosdoshëm dhe i dobishëm, për secilin, është e vetmja mënyrë që njeriu ta provojë veten, ta mishërojë pasionin e tij. Gjithsesi, nuk duhet të na gëzojë sasia, nëse keni parasysh në pyetjen tuaj masivizimin e shkrimit dhe lehtësitë teknologjike të shpërndarjes. Nëse ke botuar 100 faqe të dobëta, e ke dëmtuar 100 herë letërsinë dhe veten si autor i pretenduar.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

GRAÇI: Pas Luftës së Dytë Botërore të dy hapësirat kryesore shqiptare, me ca ndryshime jo thelbësore nga njëra-tjetra, Shqipëria dhe Republika autonome e Kosovës ishin në një proces të gjerë riformësimi shtetëror dhe social; po instalohej një rend i ri politik, i cili po shtetëzonte gjithçka a shumëçka dhe po përpiqej që ta legjitimonte e shprehte veten edhe kulturalisht, edhe artistikisht, edhe në planin e teorisë, edhe nëpërmjet filozofisë ekonomiko-politike. Vetë shoqëritë përkatëse, të arsimuara masivisht, tashmë përpiqeshin ta gjenin veten dhe fizionominë e epokës socialiste edhe në produktin letrar-artistik të krijuar, nga shkrimtarët e rinj, nga artistët e rinj. Kështu, ngritja dhe përparimi i sistemeve shtetërore respektivë, shënoi paralelisht edhe sukseset e përkohshme të shumë shkrimtarëve dhe artistëve. Kështu u krijuan shumica e autoriteteve kulturore. Dhe, me zhgënjimin e madh nga komunizmi totalitar në Shqipëri dhe nga parajsa federative jugosllave në ish Jugosllavi, ndodhi dhe zhgënjimi me pjesën më të madhe të produktit artistik të asaj periudhe. Si në çdo letërsi, edhe në letërsinë shqipe, nga të dyja anët e kufirit, nuk kemi gjenerata të ndritura, të suksesshme, por disa individualitete, disa pak krijues të shquar të cilët, nga e tashmja, mund t’i quajmë klasikë. Nëse zbresim në kohë njerëzore, edhe në brezat pasardhës, 50 vjeçarët e sotëm, 30 vjeçarët e sotëm, madje dhe më të rinjtë, kanë paraqitje shumë të mira. Kemi autorë shumë të mirë që botojnë rregullisht dhe do të jenë klasikët e dhjetëvjeçarëve të ardhshëm, sikurse ka dhe autorë që ngelen në mes të rrugës ose, pavarësisht moshës a titujve, mbeten përherë debutues, domethënë, nuk e gjejnë veten, nuk sjellin diçka me vlerë të veçantë. Jam i bindur se në suksesin a varfërinë e një produkti letrar, kritika luan një rol periferik; nuk kemi pse t’ia adresojmë asaj pakënaqësitë apo komplekset tona.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

GRAÇI: Amatorizmi i letërsisë? Nëse e keni këtë bindje përgjithësuese, është e kotë të dialogojmë bashkë. Jo vetëm pse jam njëri ndër shkrimtarët produktivë të këtyre 30 viteve, por për arsyen e thjeshtë, parimore – nuk ia vlen të diskutojmë një punë – kritikën- nëse paragjykojmë se asaj i mungon objekti, pra letërsia e vlershme. Letërsinë e mirë nuk e bën sinkronizmi i autorëve krijues me kritikën letrare, me dijet teorike letrare apo me të ashtuquajturin erudicon filologjik. Letërsinë e krijojnë talentet e lindur si të tillë, që realizohen, sprovohen e imponohen si të tillë nëpërmjet punës. Reklamimin më të mirë punës së një shkrimtari ia bën vetë puna e tij; nëse të pëlqeu libri i mëparshëm i filan shkrimtari, do të presësh me dëshirë librin e tij të radhës, në të kundërt, asnjë tellall-kritik, nuk të imponon dot shijen apo njësitë e tij vlerësuese.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

GRAÇI: Ka autorë, kryesisht poetë, të cilët furnizojnë portalet me krijimet e ngjarjet e tyre individuale apo si grupime/shoqata. Kjo periudhë nuk duhet të zgjasë pa mbarim, duhet hedhur hapi i madh për te botuesit, me libra të përvetshëm. Sa i përket shtetit – shteti zakonisht ushqen mediokritet dhe pseudo vlera. Dhe nuk mund të jetë ai kujdestari dhe hyzmeqari i talenteve, edhe sikur të dojë. Kemi nevojë vetëm për botues me kritere profesionale, për librari me standarde bashkëkohore. Natyrisht, kemi disa botues, profesionalisht të arrirë, sikurse kemi tek-tuk edhe librari. Shteti mund e duhet të bëjë vetëm një gjë: të ringrejë bibliotekat publike në çdo qytet e komunë, të ringrejë bibliotekat në çdo qendër arsimore dhe t’i furnizojë ato sistematikisht, në bashkëpunim me botuesit, me botimet e reja cilësore.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces, të cilin detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergameneve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

GRAÇI: Libri duhet të bëjë stinën e tij të parë të jetës si libër-letër, sepse ashtu jemi mësuar dhe ajo është forma më jetëgjatë e një teksti – në letër. Letra jeton me shekuj. Pas kësaj, në muaj e stinë pasardhëse, libri mund të formatohet dhe të tregtohet në formë elektronike, duke respektuar të drejtat e ekonomike e pronësore të botuesit dhe të autorit. Për të qenë në një hap me kohën, duhet ta bëjmë prodhimin e shpërndarjen e librit (edhe) në çdo formë të re që mundësohen përparimi teknologjik.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm?

GRAÇI: Gazeta e revista kulturore-letrare ka, nuk jemi pa to. Problem ngelet financimi i tyre, i cili bëhet me dy mënyra, me sa di unë: 1-me sakrificat vetjake të subjekteve të caktuara, dhe -2- me sponsorizime. Të parat, ato që dalin me sakrificat financiare të privatëve, kanë përgjegjësi të lartë estetike dhe intelektuale për produktin e tyre, por nuk kanë mundësi të paguajnë autorët; të dytët, ata që i marrin lekët nga ministritë a fondacionet, nuk kanë merak cilësinë apo lexueshmërinë e produktit të tyre; mjafton të ndajnë përfitimet ekonomike dhe ato të auto-publicitetit në një rreth gjithmonë e më të ngushtë klientelist e familjar, asgjë më tepër se kaq. E thënë me dy fjalë: nuk ekziston kritika si profesion i paguar te ne.(HEJZA)

Leave a Reply